14:45PM – 15:00PM
Gjendja e vreshtarisë dhe e prodhimit të rrushit në Kosovë – Sfidat e formimit të kloneve
Nga Nesim Morina, Sylejman Bala
Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë
-
Nesim Morina
Shef i Divizionit të Vreshtarisë në DVV Kosovë
GJENDJA E VRESHTARISË DHE E PRODHIMIT TË RRUSHIT NË KOSOVË –SFIDAT E FORMIMIT TË KLONEVE
Nesim Morina, Sylejman Bala
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Departmenti për Vreshtari dhe Verëtari, Prishtinë, Kosovë
Kultivimi i hardhisë dhe përpunimi i rrushit në Kosovë ngjan me ato të trevave tjera shqiptare dhe Ballkanike me më shumë se 2 000 vjet lashtësi të kultivimit të hardhisë. Dëshminë e kultivimit të hardhisë në këto troje e vërtetojnë të dhënat historike, toponimet e ndryshme dhe zbulimet arkeologjike. Republika e Kosovës me sipërfaqe vreshtash prej 3 473. ha, bën pjesë në shtetet e vogla të Evropës që prodhojnë rrush dhe verë. Shtrirja e vreshtave është e përqendruar vetëm në disa zona vreshtare. siç janë: Rahoveci, Theranda (Suhareka), Prizreni, Gjakova, Malisheva. Sektori i Vreshtarisë dhe Verëtarisë në vazhdimësi ka qenë sektor i rëndësishëm socio-ekonomik, përfshirë këtu ndërmarrjet, të cilat janë bartëse të prodhimit dhe eksportit të verës. Pavarësisht investimeve të rëndësishme në teknologjinë e prodhimit të verës, ende duhet të punohet më fort në marketing dhe krijimin e identitetit të verës nga Kosova. Krahas rritjes dhe përmirësimit të cilësisë së verës, në vazhdimësi është rritur numri i prodhuesve që ka rezultuar me kërkesë të shtuar në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Prodhimi i rrushit të tryezës ende nuk i plotëson kërkesat për konsumin vendor, më shumë se 30 % e konsumit plotësohet nga importi. Kosova është në hapat e para dhe rrugë të mbarë në përzgjedhjen e kloneve nga kultivarët vendorë si rrugë e vetme për krijimin e identitetit të verërave nga Kosova. Prioritet mbetet prodhimi i materialit fidanor të certifikuar, investimi në kapacitete për ruajtjen e rrushit të tryezës- zgjatjen e periudhës së tregtimit të rrushit, forcimi i shërbimeve këshillimore si dhe orientimi i vreshtarisë në baza shkencore, mbështetur në kultivarët autoktonë në përputhje me kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar.
Fjalët kyçe: prodhim, zona vreshtare , klone, material fidanor.