11:40AM – 11:55AM

Identifikimi i sëmundjeve virusale të hardhive autoktone në koleksionin e QTTB, Vlorë

Nga Orges Cara dhe Adhurim Lazaj

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

IDENTIFIKIMI I SËMUNDJEVE VIRUSALE TË HARDHIVE AUTOKTONE NË KOLEKSIONIN E QTTB, VLORË

Orges Cara1, Adhurim Lazaj2

1Istituto Agronomico Mediterraneo di Bari, Via Ceglie 9, 70010 Valenzano (BA), Italy

2Qëndra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Vlorë, Shqipëri

Gjatë vitit 2018 – 2020 janë marrë mostra të kultivarëve të ndyshëm në koleksionin e vreshtit në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore , Vlorë. Ky koleksion përmban një numër të madh të kultivarëve lokalë dhe të huaj; rreth 147 prej tyre janë të huaj, ato shtrihen në një sipërfaqe prej 0.2 ha. Kultivarët lokalë janë të kultivarëve “Shesh i Bardhë”, “Shesh i Zi”, “Kallmet”, “Vlosh”, “Serinë”, “Debinë”, “Pulëz”. Ky vresht është i shtrirë në një sipërfaqe rreth 6 ha. Mostrat e marra janë analizuar për praninë e 5 viruseve, Grapevine fanleaf virus GFLV (nyje-shkurtra), Grapevine leafroll-associated virus GLRaV1 (përdredhja e gjetheve të hardhisë), GLRaV3, Grapevine virus-A GVA (rrudhosja e drurit), Grapevine fleck virus GFkV (njollosja infektive e gjetheve të hardhisë). Metoda e përdorur është ajo serologjike, ELISA dhe kiti komercial Agritest. Nga koleksioni i QTT, Vlorë janë analizuar 200 mostra për 5 viruse, pra gjithsej 1000 analiza, me dy përsëritje 2000 analiza. Numri total i mostrave të rezultuara pozitive është 307, nga të cilat 3 bimë me GFLV, 21 bimë me GLRaV­1, 103 bimë me GVA, 138 bimë me GLRaV­3, dhe 42 bimë me GFkV. Nga përpunimi statistikor i të dhënave ka rezultuar një korrelacion pozitiv mesatar; aty ku shfaqej prania e virusit GVA ishte shumë e mundshme edhe shfaqja e virusit GLRaV3. Gjithashtu një lidhje e ngjashme, por më e vogël qëndronte midis virusit GFKV dhe GLRaV3. Nga analizat e kryera rezulton që varietet lokale minorene janë më të prekura nga këto viruse. Fakti që janë minorene, jo shumë të përhapur në kultivim, ruajtja e gjermoplazmës së tyre merr një rëndësi të veçantë në vendin tonë. Kështu, rekomandohet shëndetësimi i tyre. Pajisja e fermerëve dhe prodhuesve të fidanëve me kultivarë autoktonë të pastër nga viruset, është një nga sfidat kryesore në vend.

Fjalë kyçe: vresht, kultivarë lokalë, viruse, ELISA, shëndetësim.

Social Share