15:00PM – 15:15PM

Probleme të prodhimit të fidaneve të hardhive të shartuara antifilokserike në Shqipëri

Luigj Frangaj, Baki Dervishi

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

PROBLEME TË PRODHIMIT TË FIDANËVE TË HARDHISË NË SHQIPËRI

Luigj Frangaj

Ekonomia prodhuese e fidanëve të hardhive “FIDAL”, Lezhë

Zbatimi i teknologjive racionale në vreshtari lidhet ngushtë me një nga hallkat më të rëndësishme të projektit për mbjelljet e reja dhe me sigurimin e prodhimit të fidanëve të shartuar antifilokserikë me vlera të larta agroprodhuese, të pastër nga ana fitosanitare, me komponentë shartimi gjenetikisht të seleksionuara. Shtrirja e vreshtarisë së re nxjerr në plan të parë kërkesat për standarde dhe vlera të materialit mbjellës. Në kushtet e globalizimit del detyrë parësore, që prodhuesit e fidanëve të zbatojnë praktika në përqasje me standardet në vendet e BE-së. Ekonomia prodhuese “FIDAL”, që prej 20 vitesh në bashkëpunim edhe me Bankën gjenetike të ish Institutit të Kërkimeve Biologjike të Akademisë së Shkencave, ka zbatuar një program të plotë për dhënie jetë të filierës së prodhimit nga komponentët e shartimit në vreshtin mëmë deri në shpërndarjen në ekonomitë për ngritjen e vreshtave të reja. Skema e punës ndërtohet sipas kërkesave të filierës së prodhimit: (1) ngritja e vreshtit mëmë të mbi- dhe nënshartesave me kultivarë të programuar për shtim; (2) shartimi në tavolinë; (3) trajtimi me stimulues rrënjëzimi; (4) shtratifikimi në temperaturë të kontrolluar; (5) mbjellja në shartesore; (6) ambalazhimi i përshtatshëm; (7) prodhim fidanësh nga kultivarët paraprakisht të seleksionuar nga fondi gjenetik autokton, si dhe kryqëzimet interspecifike të krijuara nga prof. Petraq Sotiri në ish Institutin e Kërkimeve të Pemëtarisë dhe Vreshtarisë (Kallmet x Alikant Bushe, Kallmet x Saperi, Kallmet x Vlosh dhe Kallmet x Shesh i Zi). Metoda ka disa përfitime: (i) prodhim fidanësh të sigurtë nga ana gjenetike dhe shëndetësore, zënie të larta, përshpejtim të futjes në prodhim, jetë të gjatë prodhimi në vreshta; (ii) përfitim fidanësh nga kultivarët autoktonë nga seleksionimi klonal me të dhëna pozitive si kultivarët Kallmet, Shesh i Zi, Shesh i Bardhë, Serina e Bardhë, Pulës, Cërrinjë, Tajkë e Kuqe; (iii) shtim dhe përhapje të kultivarëve cilësorë me njohje ndërkombëtare duke shmangur importimet e pakontrolluara; (iv) sigurim i infrastrukturës për ruajtjen e gjermoplazmës autoktone dhe për prodhimin e verërave autoktone. Disa rekomandime: (i) i sugjerojmë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hartimin e një ligji të ri për prodhimin e fidanëve edhe ngritjen e Qendrës Kërkimore për Vreshtarinë dhe Verëtarinë; (ii) në mbështetje të një legjislacioni të përqasur me atë të BE-së, propozojmë që prodhimi i fidanëve të përqendrohet vetëm në disa ekonomi të certifikuara për të bërë efektiv kontrollin sipas nevojave të vendit. Mënjanimi i prodhimit të fidanëve nga prodhues të pakontrolluar do të sillte përfitime nga ekonomitë që angazhohen me kultivimin në vreshta dhe prodhimin e verës sipas kërkesave të tregut, për mbrojtjen e mjedisit dhe për sigurinë ushqimore.

Fjalë kyçe: ekonomia FIDAL, kultivarë autoktonë, teknologji, fidanë cilësorë

Social Share