10:55AM - 11:15AM

Identifikimi i kultivarëve dhe ekotipeve lokale të hardhise në Shqipëri dhe Kosovë përmes metodës deskriptive dhe skedës ampelografike

Nga Lush Susaj dhe Xhelal Kryeziu

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

IDENTIFIKIMI I KULTIVARËVE DHE EKOTIPEVE TË HARDHISË NË SHQIPËRI PËRMES METODËS DESKRIPTIVE DHE SKEDËS AMPELOGRAFIKE

Lush Susaj

Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës

Studimi ka për qëllim identifikimin dhe vlerësimin e kultivarëve dhe ekotipeve autoktone të hardhisë, përmes vlerësimit ampelografik të karaktereve, të shprehura në kodet e deskriptorit ndërkombtarë të OIV-it (International Office of the Vine and Wine). Deskriptori përmban 151 karaktere (kode), nga të cilat, kodet OIV 701 dhe OIV 702, vlerësohen përmes analizës së izoenzimave GPI (Glucose Phosphate Isomeraza) dhe PGM (Phospho Gluco Mutaza). Rezultati krahasohet me elektroforezën referente të GPI dhe PGM së kultivarit. Ndërsa 6 karakteret apo kodet e ADN-së (OIV 801 – 806) vlerësohen përmes trajtimit të vargut të ADN-së me 6 markera molekularë apo enzima të restriksionit, të njohura në lidhje me pozicionin, ku realizojnë prerjen e vargut të ADN-së së kultivarëve. Në vreshtat, pjergullat dhe erekët e Shqipërisë janë identifikuar 11 kultivarë dhe 14 ekotipe lokale me interes të lartë për prodhimin e rrushit të tavolinës dhe të rrushit për prodhimin e markave identitare të verës dhe të pijeve të tjera alkolike. Janë identifikuar kultivarët lokalë “Shesh i Zi”, “Sheshi i Bardhë”, “Kallmeti”, “Vloshi”, “Cëruja”, “Debina e Bardhë”, “Debina e Zezë”, “Pulëzi i Bardhë”, “Serini i Bardhë”, “Serini i Zi” dhe “Manakuqi”. Ndërsa ekotipet më të përdorur në agroekosistemet e tyre specifike janë “Pamidi”, “Prokupaci”, “Sinanbeli”, “Koteka e Bardhë”, “Koteka e Zezë”, “Jabizhaku”, “Dhelpëraku”, “Tajga e Kuqe e Burrelit”, “Tajga e Bardhë”, “Valteri”, “Ujceku”, Kalvaçi” dhe “Gjalishi”. Në gjendjen e sotme të vreshtarisë, kërkohen programe të mirfillta për përmirësimin gjenetik të drejtuar me anë të seleksionimit klonal, për karakteret më të mira prodhuese dhe enologjike të varieteteve lokale për arsye të degjenerimit të vazhdueshëm varietor të popullatave lokale të hardhive. Një dukuri e tillë negative godet cilësinë dhe procesin teknologjik të prodhimit dhe ruajtjes së verës dhe konsiderohet pengesë e fortë për mundësinë e eksportit të produkteve shqiptare drejt tregjeve rajonale dhe evropiane. Markat autoktone dhe e gjithë industria bashkëkohore e verës dhe pijeve alkolike mund të ekzistojnë vetëm mbi bazën e kloneve të kultivarëve dhe ekotipeve lokale dhe të introduktuara të hardhisë. Paraprakisht, duhet ndërmarrë një studim i plotë për identifikimin dhe koleksionimin real të kultivarëve dhe ekotipeve lokale të Shqipërisë dhe vlerësimi i saktë për 151 karakteret biomorfologjike, adaptive, prodhuese dhe gjenetike, dhe hartimi i skedave referente në përputhje me standartet dhe metodologjinë ndërkombëtare (OIV, 2001).

Fjalë kyçe: kultivar, ekotip, identifikim, karakter, kod, deskriptor, skedë, marker

 

Social Share