10:10 - 10:25

Konservimi i gjermoplazmës së hardhive autoktone me medoda konvencionale në Shqipëri

Nga Frida Çarka dhe Adhurim Lazaj

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

KONSERVIMI I GJERMOPLAZMËS SË HARDHIVE AUTOKTONE ME MEDODA KONVENCIONALE NË SHQIPËRI

Frida Çarka1, Adhurim Lazaj2

1Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, Universiteti Bujqësor i Tiranës

2Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Vlorë

Ruajtja e biodiversitetit të hardhisë është një nga objektivat kryesore të kërkimit në vreshtari. Strategjia e përdorur deri tani në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB), pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës ka qenë konservimi i gjermoplazmës autoktone të hardhisë me metoda konvencionale. Kushtet e favorshme gjeografike, ndryshueshmëria e faktorëve klimatikë e tokësorë dhe tradita e lashtë e kultivimit të hardhisë ka bërë që vendi ynë të jetë një vatër e pasur me burime gjenetike të hardhisë. Misionet eksploruese të kryera gjatë viteve 2009- 2015 treguan se diversiteti i hardhisë është ende i lartë. Aktualisht janë regjistruar në inventarin kombëtar të resurseve gjenetike të bimëve, 249 aksesione hardhie, ku përfshihen kultivarë vendi, tradicionalë, lokalë, kultivarë të vjetër të introduktuar, forma, biotipe dhe ekotipe me interes. Administrimi i resurseve gjenetike të hardhisë është detyrë komplekse, që ka si objektiv ruajtjen afatgjatë të tyre dhe shmangien e erozionit gjenetik. Shumë përpjekje janë bërë për ngritjen e koleksioneve fushore të ruajtjes ex-situ të gjermoplazmës së hardhisë dhe pasurimin e tyre. Si rezultat i misioneve koleksionuese është bërë e mundur të ruhen 107 aksesione hardhie në koleksionin fushor të Bankës Gjenetike, Valias dhe 57 aksesione në koleksionin fushor të hardhisë, QTTB, Vlorë. Menaxhimi i këtyre koleksioneve me objektiv ruajtjen afatgjatë të resurseve gjenetike të hardhisë është me rëndësi kombëtare. Gjatë viteve 2015-2021 puna ka vijuar me karakterizimin dhe vlerësimin e aksesioneve të hardhisë me fokus vërtetimin e identitetit të tyre dhe sigurimin e të dhënave të nevojshme për përdorimin e tyre në punën përmirësuese gjenetike dhe përhapjen e kultivarëve të rinj me interes ekonomik. Karakterizimi ampelografik i aksesioneve është kryer sipas metodologjisë së përcaktuar në Listën e deskriptorëve të OIV për varietetet e hardhisë, (2009). Aksesionet e koleksionuara paraqesin një variabilitet të pasur fenotipik. Karakterizimi molekular i kryer për 23 aksesione hardhie ka gjetur  disa sinonime dhe homonime.

Fjalë kyçe: biodiversitet, konservim, gjermoplazma, aksesione autoktone të hardhisë, inventar kombëtar.

Social Share