10:30 - 10:45
Hardhia dhe vera Dibrak
Kumtues: Nesim Morina, Shef i Divizionit të Verëtarise në DVV, Kosovë
Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë
-
Nesim Morina
Shef i Divizionit të Vreshtarisë në DVV Kosovë
“Hardhia dhe vera Dibrak”
Emërtimi „Dibrak“, në troje shqiptare njihet edhe si “Rrush i Rahovecit”, “Shkupjan i Zi”, “Zerqan”, „Prokupë“; si edhe “Prokupac” e “Zarçin” në Maqedoninë e Veriut, në Serbi etj. Dibraku i ka qëndruar kohërave për mijëra vjet dhe është ndër kultivarët më të vjetër té hardhisë në trojet shqiptare.
Shpatijët me pjerrësi të butë dhe tokat e përshtatëshme të selitura më hardhinë “Dibrak”, çka praktikohet në Rahovec, Therandë (Suharekë) e gjithandej Rrafshit të Dukagjinit në Kosovë, si edhe sadopak né Shqipërinë Veri-Lindore, paraqesin peisazhe mëse të bukura që janë krijuar nga puna mjeshtërore e vreshtarëve dhe e specialistëve tanë.
Vreshtat me hardhi të kultivarit Dibrak përbëjnë 10 për qind të vreshtarisë së Kosovës. Venaria më e shquar për prodhim e verës Dibrak është “TRADITA” në fshatin Radostë të komunës Rahovec. Ndërsa venaritë “AGROKOSOVA HOLDING” në Therandë, ”EKO” dhe “KOSOVA WINE” në Rahovec etj., verën Dibrak e kupazhojnë me verëra të tjera sikurse Kaberné Sovinjó, Gamé etj. Krahas verës, nga rrushi Dibrak prodhohet jo pak sasi rakie dhe vinjaku (lloj likeri ose konjaku që prodhohet në Kosovë).
Verërat Dibrak me ngjyrë të kuqërremtë ose të kuqe në vjollcë, me amësime dhe shije të vishnjës – të frutave të malit – të manaferrave të pjekura, me përmbajtje alkooli dhe thartorësh në sasi të kënaqëshme, përbëjnë dhe paraqesin një kompleks cilësish dhe shijesh, që janë me shumë vlera dhe tërheqëse, të njënjëshme jo vetëm në verëtarinë shqiptare. Ndër të tjera, te vera Dibrak spikat shija e tanineve të freskëta, çka e bën paksa të ashpër, por taninet ndihmojnë shumë për pjekurimin më cilësor të verës Dibrak. Modernizimi në vreshtari e ka bërë më pak tërheqës selitjen e hardhisë së këtij kultivari, që tradicionalisht është rritur në trajtën “cung në kokë”, çka e kufizon prodhimin dhe përdorimin e mekanizimit bujqësor. Si rrjedhojë, sipërfaqet e vreshtave me “Dibrak” po shkojnë duke u zvogëluar.
Del mëse e nevojshme që të thellohet bashkëpunimi ndërshtetëror dhe institucionor midis Shqipërisë dhe Kosovës, në lëmin e vreshtarisë dhe verëtarisë, më theks të veçantë në veprimtarinë përzgjedhëse të hardhive autoktone, si ndër metodat më të rëndësishme në përmirësimin gjenetik dhe krijimin kloneve pérkatës. Viteve në vijim është e nevojshme të punohet më shumë sidomos në përzgjedhjen e kloneve të hardhisë “Dibrak”, më qëllim prodhimin më të shumtë dhe cilësor të verërave autentike nga rrushtë “Dibrak”.
Fjalë kyçe; Rrush Rahoveci, venaria Tradita, cung në kokë, klon.