12:00 – 12:15

Emërtimet e prejardhjes dhe standartizimi

Kumtues: Prof. Dr. Renata Kongoli UBT , Luziana Hoxha , Anita Berberi ASHSH

Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë

Emërtimet e prejardhjes dhe standardizimi, si dokument garancie për verërat shqiptare

Verëtaria konsiderohet me përparësi në vend dhe si industri e larmishme dhe me peshë në Shqipëri. Në vitet e fundit vihet re një rritje e kërkesës së brendshme për verë, për shkak të ndryshimeve në stilin e jetesës dhe mënyrën e të ushqyerit, çka mundësuan që prodhimi i rrushit të rrititet, lidhur kjo edhe me traditën dhe përshtatshmërinë që ka gjetur në vendin tonë, përsa i përket tokës dhe klimës. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, prodhimi i verës në Shqipëri mbtetet ende i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit, çka mund të lidhet me vështirësitë që hasin veraritë/kantinat, veçanërisht në furnizimin me lëndë të parë, në mundësitë që të shesin verërat e tyre sepse importet importet e verërave janë të mëdha. Prandaj korniza prodhim-treg-konsum shfaq ndryshime kryesisht për shkak të  konkurrencës së madhe në treg edhe nga qëndrimi i konsumatorit ndaj verërave shqiptare. 

Me këtë punim, emërtimet e prejardhjes dhe standardizimin e verërave e konsiderojmë si dokument garancie për verërat shqiptare. Cilësitë, karakteristikat, reputacioni i verërave vijnë kryesisht nga vendprejardhja. Vendi ynë ka të regjistruar disa tregues gjeografikë dhe/ose emërtime prejardhje nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, por nuk ka regjistrime për verën. Keshtu, dëshirojmë të shtjellojmë skemat e certifikimit të cilësisë për verërat me anë të treguesve gjeografikë, duke paraqitur kuadrin ligjor vendas dhe atë të Bashkimit Evropian, përkufizimet e verërave dhe përparësitë e verërave TGJ, procesin e regjistrimit si mundësi e të drejtës së përdorimit të shenjës që përbën treguesin dhe parandalimin e përdorimit të tij nga një palë e tretë dhe ky produkt nuk përputhet me standardet e zbatueshme.

Nga studimi ynë, mund të arrijmë në përfundim se është e rëndësishme lidhja e një kultivari specifik me një zonë gjeografike të caktuar; kjo përbën një potencial për zhvillimin e skemës për verërat me cilësi të lartë, si edhe për ruajtjen e burimeve natyrore vendore, të njohurive dhe të traditave për to. Është e nevojshme që verërat me logo TGJ, të shpërfaqin autenticitetin dhe të perceptohen si me cilësi të lartë. Rekomandohet rritja e ndërgjegjësimit dhe veprimeve konkrete të aktorëve të ndryshëm në zhvillimin e verërave TGJ, duke shfrytëzuar përfitimet që mbart në vetvete mbrojtja e verërave unike shqiptare. Për më tepër, zhvillimi i verërave TGJ, mund të ketë një impakt në nxitjen e investimeve në vreshta dhe në verari, në promovimin e zhvillimit rural të qëndrueshëm, çka mundëson përfitime për prodhimin vreshtar e verëtar, për ekonominë dhe për marketingun e verërave shqiptare.


Fjalë kyçe: verërat shqiptare, njohuri, traditë, tregues gjeografik, skemë certifikimi e cilësisë.

 

Social Share