10:25 - 10:35

Domosdoshmëria e përfshirjes së metodologjive in vitro për krijimin e koleksioneve gjenetike të gjermoplazmës së kultivarëve autoktone të hardhive

Nga Valbona Sota , Elektra Papakosta, dhe Efigjeni Kongjika

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

DOMOSDOSHMËRIA DHE MUNDËSIA E PËRFSHIRJES SË METODOLOGJIVE IN VITRO PËR KRIJIMIN E KOLEKSIONEVE GJENETIKE TË KULTIVARËVE AUTOKTONË TË HARDHIVE

1Valbona Sota, 2Elektra Papakosta, 3Efigjeni Kongjika

1Departamenti i Bioteknologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës

2Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Shamogjin, Vlorë

3Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, Akademia e Shkencave, Tiranë

Metodologjitë in vitro përfaqësojnë një mënyrë efektive për ruajtjen ex situ të gjermoplazmës bimore dhe aplikohen gjerësisht si metoda plotësuese krahas atyre konvencionale të konservimit. Aplikimi i tyre redukton humbjet e materialit bimor, sepse shmang ekspozimin ndaj streseve abiotikë dhe biotikë, por mundëson edhe krijim koleksionesh të fituara nga mikroshumimi i bimëzave të shëndetësuara. Me rëndësi të veҫantë konsiderohet optimizimi i platformave bioteknologjike për ruajtjen afatmesme dhe afatgjatë me qëllim themelor ngritjen e koleksioneve gjenetike të kultivarëve autoktonë të hardhisë. Kërkesë thelbësore është optimizimi i protokolleve efikase për mikroshumimin, pasi rigjenerimi in vitro është vendimtar për përdorimin e mëvonshëm të gjemoplazmës së konservuar. Përvoja e deritanishme për mikroshumimin dhe konservimin in vitro është premtuese, veçanërisht për kultivarët autoktonë Kallmet, Shesh i Zi dhe Vlosh. Laboratori i Kulturave Qelizore dhe Indore FSHN, UT dhe ai i QTTB, Vlorë, kanë përvojën dhe infrastrukturën laboratorike funksionale për të përmbushur këto qëllime. Janë zgjedhur sythe të majës si eksplante fillestare me qëllim ruajtjen e stabilitetit gjenetik të kultivarëve të përzgjedhur dhe prodhimin e bimëzave të painfektuara. Objekt është modifikimi i faktorëve fiziko-kimikë në varësi të qëllimit momental të rigjenerimit in vitro në masë (shkurtim i kohës midis subkulturave) apo konservim afashkurtër dhe/ose afatmesëm (zgjatje e kohës midis subkulturave). Për konservimin me metoda të rritjes minimale janë përdorur modifikime, që të mundësojnë ngadalësim të metabolizmit bimor, si: reduktim i burimit të karbonit, tretësirës bazale, hormoneve bimorë ose të temperaturës. Rezulton se ekspozimi në faktorë kimikë nën vlerën optimale shkakton modifikime biokimike dhe/ose fiziologjike me pasoja të pakthyeshme, gjë që reflektohet në vlerat e reduktuara të potencialit të mbijetesës dhe atij rigjenerues. Reduktimi i vlerës së temperaturës (4 – 8oC), konsiderohet efektiv për konservim rreth 5 – 6 mujor pa kaluar në subkulturë. Domosdoshmëri themelore dhe objektivi kryesor i të ardhmes është mikroshumimi dhe aplikimi i metodave të konservimit në një numër shumë më të madh kultivarësh autoktonë të hardhisë, si dhe kriokonservimi që do të mundësonte ruajtje afatgjatë prej disa vitesh. Në laboratorin e Departamentit të Bioteknologjise, FSHN, UT janë stabilizuar protokollet për konservimin me anë të teknologjisë së farave sintetike në specie të ndryshme me mundësi potenciale për t’u aplikuar me sukses edhe në kultivarët e hardhisë. Ngritja e koleksioneve gjenetike in vitro të kultivarëve autoktonë të hardhisë konsiderohet detyrë imediate, si pjesë e kulturës bujqësore tradicionale kombëtare, por edhe e zhvillimit perspektiv, si dhe me potencial për t’u përdorur në programet e përmirësimit gjenetik për krijimin e kultivarëve të rinj cilësorë.

Fjalë kyҫe: kultivarë autoktonë të hardhisë, metoda të rritjes minimale, rigjenerim in vitro, hormone bimore

Social Share