10:35 - 10:55
Përdorimi i metodave të biologjisë molekulare për identifikimin e kultivarëve autoktone të hardhive në Shqipëri dhe në Kosovë
Nga Ariola Bacu dhe | Ylber Bajraktari
Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë
PËRDORIMI I METODAVE TË BIOLOGJISË MOLEKULARE PËR IDENTIFIKIMIN E KULTIVARËVE AUTOKTONË TË HARDHIVE NË SHQIPËRI
Ariola Bacu
Departamenti i Bioteknologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Metodat e biologjisë molekulare janë përdorur për identifikimin e kultivarëve lokalë të hardhive në Shqipëri prej vitit 2004. Ndër to, markerët e tipit Simple Sequence Repeats janë të njohur ndërkombëtarisht për këtë kulturë bujqësore. Punimi referon rezultatet e profilizimit gjenetik të 78 aksesioneve të hardhive shqiptare me anë të SSRs bazuar në të dhënat e raportuara nga Ladoukakis et al (2005) dhe Bacu et al (2015) të emërtuara në vijim si projekti 1 dhe 2 respektivisht. Projekti 1 analizoi 28 aksesione hardhie për 11 lokuse mikrosatelitore (VVS1, VVS2, VVS3, VVS4, ssrZAG21, ssrZAG47, ssrZAG62, ssrZAG79, ssrVvUCH2, ssrVvUCH19, ssrVvUCH40). Më pas, projekti 2 vlerësoi 53 aksesione të tjera për 10 lokuse (VrZAG62, VrZAG67, VrZAG79, VVMD5, VVMD7, VVMD25, VVMD27, VVMD28, VVMD32, VVS2). Për krahasimin e të dhënave u përdoren 29 kultivarë nga Greek Vitis Database (http://www.biology.uch.gr/gvd/) (gjatë projektit 1) dhe 3 kultivarë të Institutit të AgroBioteknologjisë, CERTH (Greqi) si mostra reference për projektin 2. Rezultatet e projektit 1 tregojnë ndarje në dy grupe: i pari përfshin 12 kultivarë të Vitis vinifera dhe një Vitis sylvestris, katër prej tyre janë homonimë dhe asnjëri sinonim; grupi i dytë përfshin gjithë kultivarët e tjerë, përveç cv. “Karaj”. Kultivarët “Debina Kala” dhe “Debina Teki” ndajnë ngjashmëri me kultivarin grek “Dempina”. Dy kultivarë me emrin “Shaban” rezultojnë të ndryshëm; cv “Shesh i Bardhë” dhe “Pucalla-4” rezultojnë sinonime me profil identik; cv “Debina Kala” dhe “Bora” ndajnë ngjashmëri të karakterit prind/pasardhës; kultivarët shqiptarë grupohen me ata të Greqisë Qendrore dhe Jug-Lindore, ndërsa shfaqen krejt të largët me kultivarët e Kretës dhe Cikladeve. Bazuar në rezultatet e projektit 2, markerët mikrosatelitore evidentojnë një larmi të madhe gjenetike brenda Shqipërisë; vetëm 3 sinonime u evidentuan nga 53 aksesione (“Korith i Kuq”, “Tajka e Kuqe” dhe “Puka”); me ngjashmëri të madhe me mostrat e referencës u evidentuan “Debina e Leskovikut” me “Pinot Noir”, “Kallmet” me “Chardonnay”, dhe dy kultivarë (“I kuq i Hekalit”, dhe “I bardhi Cipëfortë”) me kultivarin grek “Teleki”. Kultivari “Korrith i Bardhë’ veçohet prej aksesioneve të tjera shqiptare; Si përfundim, markerët mikrosatelitore mund të ofrojnë informacion të rëndësishëm mbi diversitetin brendallojor të hardhive, gjë që përbën vlerë në përcaktimin e aksesioneve autoktone, vlerësimin e origjinës së aksesioneve që tregtohen brenda dhe jashtë vendit, gjurmueshmërinë e origjinalitetit të produkteve, dhe evidentimin e ndryshimeve që mund të shkaktohen nga teknikat konvencionale apo të avancuara të shumimit.
Fjalë kyçe: kultivarë autoktonë Vitis vinifera, markerë mikrosatelitorë; allele, aksesione, lokuse.