12:45 - 13:00
Sprova krahasuese të teknologjive bashkëkohore në prodhimin e verërave shqiptare
Kumtues: Marjeta Istrefi , Dr. Klotilda Marku , Prof. Dr. Renata Kongoli
Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë
-
Dr. Klotilda Marku
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT
-
Marjeta Istrefi
Enologe & gazetare
-
Prof. Dr. Renata Kongoli
Fakulteti i Bioteknologjise dhe Ushqimit, UBT
Sprova krahasuese të teknologjive bashkëkohore në prodhimin e verërave shqiptare
Prodhimi i verës në Shqipëri, vitet e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme, por duke marrë parasysh potencialet klimatike dhe tokësore shumë të favorshme për selitjen e vreshtave, si një vend mesdhetar, treguesit janë ende të ulët. Por në dhjetëvjeçarin e fundit, impori i verërave është rritur, çka lidhet edhe me kërkesën në rritje për konsum të verës cilësore, ndërsa vlerat e eksportit mbeten në kufijtë minimalë.
Në Shqipëri veprojnë rreth 100 kantina vere të regjistruara, por ka edhe mjaft verari që veprojnë në mënyrë të paligjshme; vetëm një numër i vogël prej tyre kanë përmirësuar dhe modernizuar skemat e prodhimit, ndërsa një pjesë kanë zhvilluar praktikën e agroturizmit.
Problemet që lidhen me cilësinë e verërave vijnë si pasojë e mangësive në procese specifike të verëzimit/vinifikimit, e qëllimit të tregtimit më shumë në sasi se sa me cilësi, e temperaturave jo aq të drejtuara e kontrolluara gjatë ruajtjes, moshimit dhe transportit të verërave, e përdorimit të pajisjeve enologjike në gjendje të amortizuar, e përzgjedhjes së mikroflorës jo aq në funksion të tipit të verës që do prodhohet, e prirjes për të prodhuar si të tjerët dhe pa plan të qartë për të prodhuar verëra sipas shijes së konsumatorit, e mangësive në standardet e cilësisë dhe të sigurisë. Përballja me vështirësitë e tregut informal, mosveprimi i sistemeve të bashkërendinimit ndërmjet fermerëve të vreshtit dhe prodhuesve të verës, kanë ndikuar në krijimin e stoqeve të verërave me tregues cilësie të diskutueshëm dhe me kosto shtesë.
Qëllimi i këtij punimi është të evidentojë rolin dhe rëndësinë e zbatimit me rigorozitet të teknikave të verëzimit, që mund të revolucionarizojnë dhe optimizojnë produktin, shitjet dhe marketingun e verës. Zbatimi i teknologjive të reja bashkëkohore dhe ndërhyrja në skemat teknologjike të prodhimit të verës, sjell ndryshim në cilësi dhe në raportet e sipërpërmendura, në té mirë për prodhimin vendas dhe rritjes së eksportit.
Proceset mjaft të rëndësishme të macerimit dhe fermentimit alkoolik dhe malolaktik të drejtuar me kultura tharmesh të përzgjedhura, teknika e mikrooksigjenimit, trajtimet për kthjellim dhe stabilizim, ruajtja dhe moshimi i orientuar i verërave drejt përftimit të përbërësve specifikë të aromës dhe shijes, përdorimi i drurit të lisit për rritjen e potencialit gjatë moshimit të verërave, investimi në laboratorët e vetëkontrollit brenda verarive, përdorimi i zëvendësuesve të anhidridit sulfuror në varësi të gjendjes shëndetësore të rrushit, përdorimi i mushteve të kontrolluar për rritjen e intensitetit të aromës, ngjyrës dhe qëndrueshmërinë e produktit, përdorimi i enzimave për kryerjen e reaksioneve të biotransformimit përmes fermentimit, pas-fermentimit dhe moshimit të verës, teknikat e stabilizimit proteinik dhe thyerjet me natyrë metalike – duke ofruar përfitime sasiore dhe cilësore, ruajtja e strukturave të lëndëve kundëroksiduese gjatë proceseve të verëzimit, përdorimi i ozonit për higjienizimin e enëve të drurit për moshimin e verërave, teknikat e largimit të kuercetinës, të tëra janë ndërhyrje të domosdoshme.
Industria enologjike po orientohet gjithmonë e më shume drejt përdorimit të programeve kompjuterike, me qëllim që përvoja me verërat të jetë më e sofistikuar dhe e personalizuar. Sistemet e reja të përpunimit, si përdorimi i ashklave/shkopinjve në vend të enëve prej druri lisi, përdorimi i spektrometrisë infra të kuqe etj., po përdoren të analizojnë taninet e ashklave, dendésinë dhe qëndrueshmërinë e verërave, né mënyrë që të reduktohet numri i enëve me dru lisi. Rendimentet dhe cilësia të parashikuara për prodhimin e veréravet, matjet për numrin e qelizave të rrushit që vdesin gjatë vjeljes, skanerat në vreshta dhe kamerat multi spektrale e ato termike infra të kuqe, përdorimi i dronëve në vreshtari, së bashku janë e ardhmja e zhvillimit të këtij sektori.
Fjalë kyçe: vera, teknologji të reja, cilësi e verës, enologji, shije e konsumatorit.