11:45 - 12:00

Përmirësi i parametrave organoleptike të verërave shqiptare

Kumtues: Labinot Shulina , Drejtor i LABI Wine

Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë

Eksperimentime për përmirësim të parametrave organoleptikë të verërave shqiptare nëpërmjet teknikave të kupazhimit

Kupazhimi i verërave, kjo teknikë verëtare sa e lashtë dhe po aq bashkëkohore, mundëson që veçanërisht verërat e rëndomta t’i shndërrojë me stil më të drejtuar nga ana e enologut dhe verëtarit, për të përftuar verëra tejet cilësore dhe tërheqëse. Kupazhimi është teknologji e zakonshme dhe e lehtë për t’u zbatuar, por gjithashtu e brishtë dhe e domosdoshme sepse përbën larmi e përmirësim teknologjik dhe përfitim ekonomik. Por kërkohen hulumtime dhe eksperimentime, pajisje dhe teknika té posaçme, investime në vreshta e venari. Sfidë që ia vlen: fitohen origjinalitete verërash, përparim teknologjik, treg më i madh. Kupazhimi është me traditë në verëtarinë e Kosovës. NBI Rahoveci qysh në vitet ’60 të shekullit të kaluar, verërat Dibrak-Vranç-Gamé etj. i ka prodhuar kryesisht të kupazhuara. Deri në vitet ‘2000, Dibraku prodhohej vetëm i kupazhuar me verërat Cabernet Sauvignon, Merlot etj. Venari të Kosovës më me përvojë në kupazhimet janë LABI WINE, BODRUMI VJETËR, DAKA, EKO, RAHVERA, SEFAWINE. Kupazhimi mund të zbatohet më shumë, posaçërisht në venaritë e vogla, duke mundësuar krijimin e brendeve të tyre.

LABI WINE ka mëse 10 vjet që eksperimenton dhe prodhon tri lloj kupazhime verërash: Kallmet + Dibrak + Vranç, Dibrak + Merlot + Vranç dhe Vranç + Kabërné Sovinjó + Merló. Në ballë të kupazhimeve janë Vrançi e Kallmeti, dy nga simbolet kryesore të vreshtarisë-verëtarisë në Shqipëri e Kosovë. Në funksion të kupazhimit po provojmë gjithashtu afatet e vjeljes, lidhur me mundësinë e përvyshkjes e rrushit në hardhi dhe të terjes sadopak, duke i shtresuar vilet nëpër arka. Këtë teknikë e kemi zbatuar me sukses te vera GRAND REHOVA, duke e lënë rrushtë që të përvyshket nëpër hardhi. Kupazhimi i paramenduar mirë dhe i drejtuar si duhet, ka mundësuar që verërat e kupazhuara të përbëjnë themele të suksesit të LABI WINE. Tri verëra nga më të mirat, janë të kupazhuara, ku spikatin: “Rahova Klasike” – Reserve dhe “Grand Rehova” – Reserve, që përkatësisht kanë 85 e 75 % Vranç dhe 15 e 25 % Kabërné Sovinjó.

Ardhmëria e kupazhimeve në verëtarinë mbarëshqiptare është në rrugë të mbarë sepse krahas kushteve klimatike tokësore optimale, tanimë kemi përvojë dhe po eksperimentojmë e investojmë për këtë qëllim. Synimi ynë nevojitet të jetë që tregut t’i ofrojmë më shumë verëra vendëse dhe cilësore, diçka ndryshe dhe origjinale ku përfshihen edhe verërat e kupazhuara, sepse kështu mund të konkurojmë duke pasur: identitet-stile-brende shqiptare, amësime/aroma dhe shije unike. Lind nevoja që venaritë të ndërlidhen dhe të bashkëpunojnë më shumë mes tyre, madje në përmasa institucionalizimi dhe duke prodhuar brende të përbashkëta.

Social Share