11:15 - 11:30
Stile tradicionore dhe bashkëkohore të verërave shqiptare
Kumtuesi Rexhep Kryeziu ekspert Verëtarie, Zvicer, Jonian Kokona Enolog
Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë
Stile tradicionore dhe bashkëkohore të verërave shqiptare
Stilet krijojnë sistem dhe kompleksitet në një lloj vere, përcaktojnë mënyrat e prodhimit dhe krijojnë identitetin e saj. Larmia klimatike tokësore dhe shumësia e kultivarëve shqiptarë të hardhisë, enoteknologjia bashkëkohore dhe aftësia profesionore e verëtarëve, mundësojnë për të zbuluar rrugëzgjidhje të reja në përkryerjen e stileve tradicionore të verërave tona. Krahas 10 llojeve të rrushit dhe verërave përkatëse më përfaqësuese shqiptare, një sërë verëra nga rrush të kultivarëve-ekotipeve-kloneve të hardhisë vendëse, janë ende të panjohura sa i përket stileve.
Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare kanë potenciale të mëdha që stilet e verërave të stabilizohen dhe përsosen, në varësi të përmbajtjes së alkoolit, lëndëve të ekstraktuara, taninave, teknikave të verëzimit. Por stilet e verërave kushtëzohen edhe nga rrushi: cilësia në tërësi, përmbajtja e sheqernave-polifenoleve-lëndë së thatë, shkalla e pjekurisë etj. Përmes veprimtarisë gjithëmbarëshe për stilet e verërave, synimi dhe përqendrimi ynë kryesor duhet të jetë krijimi i identitetit të mirëfilltë të veretarise mbareshqiptare.
Verërat tona shijojnë ndryshe, jo vetëm për arsye gjeografike, por sepse venaritë luajnë gjithashtu rol të madh në stilin e verës. Problemi i shumicës së pirësve vendas të verërave shqiptare është moskuptimi ose mospranimi sa duhet i larmisë së stileve të verërave.
Cilësitë e rrushit shpërfaqin se çfarë ndërhyrje duhen kryer në përpunimin e verës, për të arritur stilin e dëshiruar. Për ngjyrën e verës, ajo e rrushit shpesh nuk mjafton. Treguesit në lidhje me erëmirimet e shijet, si edhe proceset e verëzimit, krahas pjekurimit dhe moshimit, mundësojnë orientimin e stilit të verës. Falë vendosjes gjeografike, ditëve të shumta me diell, tokave të përshtatëshme dhe kultivarëve vendës të hardhisë, në Shqipëri dhe Kosovë mundësohet zhvillimi i një industrie verëtare konkurruese në rajon e më gjerë, nëse do të investohet për cilësinë dhe krijimin e markës. Lind domosdoshmëria e normativave shtetërore lidhur me stilet e verërave dhe promovimin e tyre.
Përmirësimi i teknologjisë siç është batonazhi, mund të nxjerrë stile vere shpërthyese: trazimi i llumit të verës së bardhë pas tharmimit malolaktik, asaj i jep më shumë strukturë dhe amësim/aromë. Prodhimi i verës së ëmbël është stil krahasimisht i ri në verëtarinë shqiptare, përftuar nga rrush i vjelur vonë ose duke e infektuar me botrytis cinerea dhe kaluar në proces stabilizimi të përkryer. Po ashtu, trajtimi i verës me bentonit, largon proteinat e tepërta dhe verën e bën më të qëndrueshme. Stil tjetër për verën e gazuar është duke kryer stabilizimin e kontrolluar dhe përdorur metodën Charmat. Verëra të cilësisë Premium, po prodhohen me rrush të përvyshkur në hardhi ose të terur pakasa nëpër arka. Larmia cilësore dhe potencialet organoleptike të rrushit që prodhohet në Shqipëri e Kosovë, bashkërenduar me përdorimin e bioteknologjisë, do të ketë impakt pozitiv në verëtarinë shqiptare.