10:15 - 10:30

Hardhia dhe vera Cerrujë

Kumtues: Enolog Flori Uka, Prof. Dr. Rexhep Uka nga UKA FARM

Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë

HARDHIA DHE VERA CERRUJË

Cerruja është kultivar hardhie e përzgjedhur dhe e selitur në shekuj, e konsideruar autoktone nga banorët e zonës së Matit. Ka marë emrin e fshatit Cerrujë, çka do të thotë curril/rrëke uji që zbret nga liqenet akullnajore të malit të Balgjajit. Përgjatë viteve, hardhitë Cerujë me cilësi dhe potencial të lartë, janë shtuar dhe përhapur nga banorët në rreth 11 fshatra të komunës Klos. Cerruja zhvillohet me shumë sukses duke përdorur shtim vegjetativ – me shermende/përpajna të tyre, pra pa nënshartesë, por e qëndrueshme ndaj filokserës. Rritet kryesisht si pjergull dhe vreshtarët nuk kryejnë ndërhyrje me pesticide për ta mbrojtur ndaj parazitëve. Botimet shkencore për Cerrujën filluan në vitet ‘2000 (profesorët A. Shundi e L.Susaj) por ende nuk ka studim shkencor bashkëkohor të plotë për të. Hardhia e Cerrujës, ndryshe nga kultivarët “modernë”, mund të prodhojë deri rreth 150 vite. Pjergulla prodhon deri në 100 kg rrush, me deri 25% sheqer. Rekordi arrin 1.6 ton rrush/pjergull.
Rrushtë e Cerrujës kanë parametra cilësie të lartë dhe mundësojnë prodhim vere unike, shumë cilësore. Në vitin 2007 provuam të prodhojmë verën e parë në venarinë ‘UKA FARM’. Vitet në vazhdim zgjëruam interesimin dhe bashkëpunimi me vreshtarët e Klosit, duke rritur cilësinë dhe sasinë e rrushit. Përmirësuam agroteknologjinë për të përftuar maksimalisht vlerat e kultivarit. Vera Cerrujë ka shprehur potencial të mirë moshimi deri dhjetëvjeçar dhe bën pjesë në eksperimentin për prodhimin e verës së gazuar të tipit ‘Champagne’. Rrushi dhe vera Cerrujë, prodhime autentike shqiptare, përbëjnë resurse të rralla enologjike dhe né treg janë vërtet konkurruese. Pas një përvoje 14 vjeçare në UKA FARM, vera Cerrujë ka shpërfaqur gjithmonë potenciale me veti të larta organoleptike. Parakusht teknologjik ka qenë përcaktimi ynë lidhur me afatin e vjljes kur rrushi është tejpjekur në pjergull, pra më 15-20 tetor, kur arrin me 25% sheqer dhe në drejtpeshë me përmbajtjen e acidëve organikë. Kjo është diçka ndryshe nga disa lloje verërash që  kanë pak potencial moshimi, pasi gjatë tejpjekes, rrushi ka vetëm deri në 4% të aciditetit gjithësej. Cerruja përmban deri 5%, duke mundësuar jetgjatësi vere më cilësore çka verërat e bardha nuk e zotërojnë. Me analiza laboratori kemi dëshmuar se Cerruja ruan freskinë dhe aromat varietore mbi 5 vjet. Në vjeljen e vitit 2012 u arrit prodhim me drejtpeshë natyrore, ku aciditeti 6% dhe sheqeri 22%, mundësuan verë që vazhdon të shprehë freski aromash dhe garanci jetgjatësie ende mé 2021. Gjithashtu janë kryer vjelje më të hershme, për prodhim shampanje 100% shqiptare dhe me pritshmëri të lartë. Pas shumë vitesh punë kërkimore, tanimë krijuam kartën teknologjike të verës Cerrujë: ngjyrë kthjellët me prirje gjelbëroshe në vitet e para, që shpreh jetgjatësi dhe më vonë merr ngjyrë kashte e duke ruajtur freskinë. Gjatë mbushjes në gotë, ka strukturë vajore që mundësohet nga kripërat minerale të shumta, të përthithura nga rrënjët e hardhive që thellohen deri në 20 m nën tokë. Cerruja shprehet me tufë/buket kompleks e të pasur aromash frutore e lulore, që gjatë moshimit të verës, piqen dhe japin ndiesinë e frutave të lartpërmedura akoma më të pjekura. Ashtu sikurse frutat evoluojnë në pjekje natyrore, edhe aromat e verës Cerrujë evoluojne gjatë moshimit në sinkron me natyrën. Cilësitë shqisore/organoleptike të Cerrujës shprehen dukshëm, duke lënë ndiesi tejet të përlqyeshme dhe të zgjatur në gojë – në hundë –në sytë. Përshatatshmëria e çiftimit të pirjes së Cerrujës me ngrënien e ushqimeve dhe gatimeve, shpërfaqet më shumë kur përdoren mishra të bardhë, sikurse ato të peshkut, pulës e gjelit të detit dhe të fushës, gicit, lepurit.

 

Social Share