09:30AM – 09:45AM

Hardhia dhe vera Shesh

Kumtuesi: Blerim Kokomani drejtor i Venaria Kokomani.

Location: Salla Queen Geraldina, Hotel PLAZA, Tiranë

HARDHIA DHE VERËRAT SHESH I BARDHË E SHESH I ZI

Rrushtë dhe verërat Shesh i Bardhë e Shesh i Zi janë përkatësisht ushqime dhe pije vendase të prodhuara qysh në lashtësi. Dëshmi janë emërtimi i fshatit Hardhishtë, me vreshta në vazhdimësi me ato të fshatit Shesh, rrënojat e venarisë në fshatin Shesh, mozaiku me vile rrushi në kishën e  Shën Mhillit në Arapaj. Mijëra hektarë me vreshta Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi seliten në të gjitha trevat vreshtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, 42 venari të liçensuara shqiptare prodhojnë verërat Shesh. Ndër 10 verërat shqiptare më përfaqësuese, Sheshet mbizotërojnë prodhimin dhe tregun shqiptar, madje eksportohen duke konkurruar me verërat e rajonit e më gjerë.

Verërat Shesh veçorizohen nga identiteti pothuaj i stabilizuar dhe orgjinaliteti i stileve.Kemi të bëjmë me verëra të fuqishme, me shumë alkool dhe lëndë të ekstraktuara, me aroma dhe shije të shprehura mirë por të drejtpeshuara midis përmbajtjes së alkoolit, acideve organikë, taninëve. Mund të moshohen në rreth 10 vjet, të kupazhohen me sukses, të prodhohen si verëra të ëmbla, të gazuara, të trëndafilta/rozé etj. Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi dallojnë jo thjesht e vetëm nga ngjyra. Sheshi i Bardhë ka më shumë amësim dhe është më i freskët në pirje, çiftohet kryesisht me djathëra dhe mishra të bardhë e të butë (gici-derri, peshku, shpendësh, lepuri). Sheshi i Zi ka më shumë alkool, është më i veshtull dhe i fuqishëm, çiftohet me ngrënie mishi bagëtish sidomos të pjekur dhe me djathëra të fortë (kaçkavall, mishavin, Sharri etj).

Sheshin e Bardhë e selitim në toka kodrinore gëlqerore dhe skelektike, rrush marrim 1,5 kg/hardhi me deri 27% sheqer dhe verë me 13.5 % alkool. Vjelja herët mundëson verë aromatike dhe të drejtpeshuar në përpjesëtimin aciditet : alkol, verë sadopak gjelbëroshe kur eshte e re. Shesh i Zi arrin deri 32 % sheqer, vjelet në fund tetori dhe në nëntor kur dëshirohet i tejpjekur. Merret 0.5-1.0 kg/hardhi. Verë e pasur me polifenole, acide organikë, tanine, lëndë minerale. Me tharmim të drejtuar dhe moshim në voza druri lisi, për 12 ose 24 muaj merret verë tejet cilësore.

Jam lindur e punoj në vendprejardhjen dhe vatrën e madhe të hardhisë e verërave Shesh, që përqendrohen në kodrinat e Ndroq-Shijakut dhe në luginën e Erzenit, 7 km larg detit Adriatik. Kam përvojë 30 vjeçare, fillimisht në vreshtarinë-verëtarinë italiane dhe nga viti 2010 jam pronar i “Venaria Kokomani”. Prodhojmë verërat Shesh i Bardhë, Shesh i Zi, Shën Mhill – blend me moshim trevjeçar. Verëra cilësie të lartë, kryesisht sepse kemi dendësi deri 10.000 hardhi/ha dhe marrim vetëm 0.5-1,5 kg rrush për hardhi, kryejmë krasitje të drejtuara, vjelim sa më vonë mundësohet, përdorim enoteknologji bashkohore. Jemi vlerësuar me çmime të para në çdo konkurs kombëtar, me juri-panel degustimi nga somelieria shqiptare, italiane, franceze, angleze. Më 2014, nga Ministria Bujqësisë u certifikuam si verë e garantuar me vulën e cilësisë. Verërat Shesh i prezantuam në panairin e Londres dhe në mjediset e Dhomës së parlamentit e sallën e Lordëve, ku organizatore ishte Jancis Robinson, vlerësuesja dhe autorja e librave për verën, më me famë botërore. Viti 2021 është më i miri vit vreshtar e verëtar i shekullit: më shumë ditë me diell, verë e nxehtë, vjeshtë me pak reshje, verëra me më shumë lëndë të ekstraktuara-polifenole-amësime-ngjyrë. Në Shqipëri e Kosovë, prodhimi i verërave Shesh po bëhet më cilësor dhe i shumtë janë vendase dhe unikale.

 

Social Share