14:30PM - 14:45PM

Arritje të përmirësimit gjenetik të kultivarëve autoktonë të hardhive në Shqipëri

Kumntuesi: Petraq Sotiri

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

ARRITJE TË PËRMIRËSIMIT GJENETIK TË KULTIVARËVE AUTOKTONË TË HARDHIVE NË SHQIPËRI.

Petraq Sotiri (Ilollari)

Resurset gjenetike të vreshtarisë tonë, mbeten pasuria më e madhe dhe e papërsëritshme që natyra dhe njeriu, në bashkëpunim dhe harmoni, brez pas brezi, na kanë lënë në trashëgim. Mbrojtja dhe shfrytëzimi i gjermoplazmës autoktone dhe biodiversitetit ampelografik është detyrë dhe mision imediat. Aq më tepër, kur vreshtaria dhe verëtaria jonë aktuale, po kalojnë një fazë të gjatë lëngimi, paqartësie, degradim dhe mangësish të theksuara në teknologjitë e aplikuara dhe formimin tekniko-profesional. Për kapërcimin e kësaj situate, programi ynë i përmirësimit gjenetik do t’ì paraprinte ngritjes së një vreshtarie moderne, mbi baza të reja tekniko-shkencore dhe kompetitive. Nën këtë këndvështrim, programi ynë parashikon trajtimin e tre problemeve kryesore: (i) vlerësimi i variabilitetit të hardhive autoktone dhe ndalimi i errozionit gjenetik; (ii) përshkrimi dhe karakterizimi ampelografik, biokimik dhe molekular i hardhive autoktone, për t’ì hapur rrugën programeve të përmirësimit gjenetik nëpërmjet seleksionimit klonal dhe kryqëzimeve intraspecifike; (iii) ngritja e strukturave të prodhimit të fidanëve të hardhive të shartuara, me bazë kultivarësh poliklonalë dhe kultivarësh të rinj me karakteristika të spikatura kimiko-teknologjike të rrushit, si edhe me shkallë të lartë tolerance ndaj “stresit biotik dhe abiotik”. Frut i kësaj pune ka qenë zbulimi, identifikimi, karakterizimi ampelografik dhe agrobiologjik i gjermoplazmës “in situ” dhe ngritja e repozitorëve “ex situ”, si dhe punimet për përmirësimin gjenetik me anë të seleksionimit klonal të një grupi “popullatash” hardhish të njohura, si “Shesh i Zi”, “Shesh i Bardhë”, “Kallmet”, “Debinat”, “Serinat”, “Vloshi”, “Pulësit”, “Cërruja”, etj. Në programin e përmirësimit gjenetik në rrugë seksuale, për kryqëzim, u veçuan popullatat problemore “Kallmet” dhe “Vlosh”, të cilat u kryqëzuan me varietetet e njohura në vreshtarinë botërore si “Cabernet Souvignon”, “Alicante Bouschet” dhe “Saperavi”. Si rezultat i këtyre kryqëzimeve, u veçuan 10 forma të reja, që karakterizohen me efekt të lartë të heterozës në drejtim të vlerave të larta prodhuese dhe  kimiko-teknologjike (kryqëzimet 3/4, 3/8, 10/6, 10/7, 26 AB, 9/19, 9/5 dhe 22/71). Për këtë program, punimet kanë vazhduar për një periudhe të gjatë kohore (1962-2018), fillimisht nga Universiteti Bujqësor dhe më pas në Institutin e Kërkimeve të Pemëtarisë dhe Vreshtarisë, Akademinë e Shkencave dhe Ekonominë e prodhimit të fidanëve FIDAL (Zejmen-Lezhë). Duke konsideruar përmirësimin gjenetik si themelin e një vreshtarie-verëtarie moderne, efektive, të qëndrueshme dhe kompetitive, i propozojmë Qeverisë, ngritjen e një Qendre Kërkimore pranë Akademisë së Shkencave, si edhe  të një strukture të posaçme për prodhimin, kontrollin dhe certifikimin e materialit mbjellës.

Fjalë kyçe:

Social Share