12:50PM - 13:10PM

Fondi primar i vreshtit autokton në vendin tonë si hallkë e skemës së certifikimit dhe modeli i marketimit të produktit 

Kumtuesit: Magdalena Cara, Keli Kasharaj, Dritan Sadikaj, Edmond Koka, Orges Cara, Jordan Mërkuri.

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

FONDI PRIMAR I VRESHTIT AUTOKTON NË VENDIN TONË SI HALLKË E SKEMËS SË CERTIFIKIMIT DHE MODELI I MARKETIMIT TË PRODUKTIT.

Magdalena Cara1, Keli Kasharaj2, Dritan Sadikaj1, Edmond Koka1, Orges Cara3, Jordan Mërkuri4.

1Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit

2Universiteti i Luksemburgut, Fakulteti i Ligjeve, Ekonomik dhe Financë

3Instituti Agronomik Mesdhetar, Valenzano, Bari, Itali

4 Qendra Kërkimore – Shkencore pranë Kantinës së Pijeve “Skënderbeu”, Durrës

 

Në vitin 2020, sipërfaqja e vreshtit ishte 12 007 ha, rreth 70 % e saj është mbjellë me kultivarë autoktonë, kryesisht cvs. “Shesh i Bardhë” dhe “Sheshi i Zi”, “Kallmet”, “Vlosh”. Rritja e sipërfaqes me material mbjellës bimor të pakontrolluar, si edhe faktorë të tjerë ndikojnë direkt në jetëgjatësinë e vreshtave dhe në cilësinë e rrushit dhe të verës. Sëmundjet virusale që prekin hardhinë nuk mund të kontrollohen me pesticide. Rruga e vetme është certifikimi i materialit mbjellës, që pasqyron sigurinë gjenetike dhe fitosanitare të tij. Ky sistem aplikohet vetëm për kultivarët autoktonë. Qëllimi i studimit është krijimi i fondit primar me këto kultivarë, si një nga hallkat më të rëndësishme të certifikimit. Ky fond është krijuar me kandidatet klone: “Shesh i Bardhë” (15) dhe “Sheshi i Zi” (15), “Vlosh” (17) dhe “Kallmet” (16). Bimët janë përzgjedhur në vite nga seleksionerët e njohur shqiptarë. Këtyre bimëve iu janë bërë analizat gjenetike, si edhe skeda ampelografike në CRSA-Itali dhe ruhen në “Screen House” në vazo, me dhê të kontrolluar nga nematodat. Sipas legjislacionit të BE-së (Direktiva 2005/43/CE), materiali i certifikuar që përdoret për shumim duhet të jetë i lirë nga: degjenerimi infektiv i hardhisë; nyje-shkurtra GFLV dhe virusi i mozaikut të Arabisë ArMV, përdredhja e gjetheve të hardhisë; GLRaV-1 dhe GLRaV-3, njollosja infektive e gjetheve të hardhisë (GFkV), tek nënshartesat. Analizat janë kryer çdo vit për viruset e mësipërme me testin ELISA (DAS), për mostrat e dyshimta edhe me RT-PCR. Të gjitha bimët në “Screen House” rezultojnë të pastra nga viruset e mësipërme. Për certifikimin në Evropë, fermerët paguajnë tarifa për shërbimet që marrin. Ky fond primar i krijuar me leje nga Ministria e Bujqësisë pranë një ferme private, ka për qëllim të ofrojë kandidate klone për fushën e homologimit dhe krijimin e vreshtit mëmë. Në përfundim, ndërgjegjësimi i fermerëve për implementimin e skemës së certifikimit me protokolle dhe aktorë të miratuar nga Ministria, do t’ju sigurojnë klientëve një produkt cilësor. Marketimi dhe marrëveshjet “royal” me fermerët do të kompensojnë kostot e monitorimeve, analizave dhe punën kërkimore.

Fjalë kyçe: fond primar, kultivarë autoktonë, viruse, program certifikim.

Social Share