12:20PM – 12:35PM

Përdorimi i teknikave in vitro në shëndetësimin e disa kultivarëve autoktonë të hardhisë cv. Kallmet dhe Vlosh

Nga Elektra Papakosta dhe Magdalena Cara

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

PËRDORIMI I TEKNIKAVE IN VITRO NË SHËNDETËSIMIN E DISA KULTIVARËVE AUTOKTONË TË HARDHISË (“KALLMET” DHE “VLOSH”) NGA INFEKSIONET VIRUSALE

Elektra Papakosta1, Magdalena Cara.2

1Qendra e Transferimit tё Teknologjive Bujqёsore, Vlorё

2Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve

Kontrollet fitosanitare në speciet drufrutore të hardhisë kanë evidentuar shkallë të lartë infeksioni, ku bimët tregojnë simptoma  të sëmundjeve nga viruse dhe viroide (Myrta et al., 1994, 2002). Njohja e saktë e agjentëve virusalë dhe e specieve që i nënshtrohen teknikave të  shëndetësimit përcaktojnë zgjedhjet e teknikave më efikase: termoterapi in vitro dhe in vivo, kultura e majave meristematike dhe kultura e majave vegjetative. Kërkimi është kryer në laboratorin in vitro të QTTB –së, Vlorë, ku zbatohen teknika in vitro për shumimin e materialit të kategorisë “bazë” drufrutorë në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Janë marrë në studim dy kultivarë autoktonë të hardhisë (“Vlosh“ dhe “Kallmet“) për vlerësimin e gjendjes fitosanitare me anë të diagnostikimit me metodën serologjike DAS-ELISA për praninë e viruseve: GFLV, GFkV, GLRaV-1, GLRaV-2, GLRaV-3. Nga rezultatet e provave serologjike, kultivarët rezultuan të infektuar me virusin GLRaV-3 (virusi i përdredhjes së gjetheve). Për shëndetësimin e kultivarëve të hardhisë nga infeksioni virusal u zbatuan teknikat in vitro: teknika e majave meristematike kombinuar me termoterapinë in vitro, duke kaluar në të gjitha fazat si: inokulimi, shumimi, rrënjëzimi, ambientimi. Për secilin kultivar u izoluan 30 meristema (0.4-0.6 mm) nga sythet apikalë (4-5 cm) dhe pas 40 ditëve në dhomën vegjetative u fituan 18 eksplantë cv. “Vlosh“ dhe 14 eksplantë cv. “Kallmet“. Bimët e hardhisё iu nёnshtruan edhe teknikёs tё termoterapisё në dhomën e termoterapisë in vitro: bimët e kultivarit “Vlosh“ u trajtuan pёr 3 muaj, ndërsa bimët e kultivarit “Kallmet“ 4 muaj në trajtim teraupetik: temperature 38⁰ C dhe ndriçim fosforeshent 5000 luks. Bimët e ambientuara pas 40 ditësh, si material bimor i prodhuar nga kultura in vitro, iu nënshtruan verifikimeve sanitare për diagnostikimin e pranisë virale pas shëndetësimit, me metodën serologjike DAS-ELISA, që vërtetuan pastërtinë fitosanitare të kultivarëve: 3/5 bimë cv. “Vlosh“ dhe 2/3 bimë cv. “Kallmet“. Seleksionimi klonal dhe fitosanitar i varieteteve lokale me rëndësi kombëtare për krijimin e Burimeve Primare janë e vetmja alternativë për rikuperimin e gjermoplazmës autoktone në vreshtari. Përdorimi i materialit “të pastër” mbjellës bimor përbën domosdoshmëri për ngritjen e orto-frutikulturës bashkëkohore, të përcaktuar nga normativa fitosanitare. Sistemi i certifikimit ka objektiv primar kualifikimin e prodhimit tё fidanёve drufrutore dhe vёnien nё dispozicion tё fermerёve tё materialit tё certifikuar (tё pastёr nga viruset dhe me pёrputhje gjenetike).

Fjalë kyçe: shëndetësim, kulturë meristematike, termoterapi in vitro, virusi i përdredhjes së hardhisë, prova serologjike, kultivarët “Kallmet”, ”Vlosh”.

Social Share