09:20 - 09:40

Gjendja e vreshtarisë dhe e prodhimit të rrushit në Shqipëri dhe çështje të implementimit të legjislacionit lidhur me to

Kumtues: Agim Rrapaj Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar.

Location: Salla Aleks Buda, Akademia e Shkencave Tiranë

GJENDJA E VRESHTARISË DHE PRODHIMIT TË RRUSHIT NË SHQIPËRI DHE ÇËSHTJE TË IMPLEMENTIMIT TË LEGJISLACIONIT LIDHUR ME TO

Agim Rrapaj1, Gazmend Shehi1, Vjollca Ibro2

1Këshilli i Agrobisnesit Shqiptar, Tiranë, Shqipëri.

2Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

 

Shqipëria, si vend mesdhetar, i ka të gjitha kushtet klimatike-tokësore për kultivimin e hardhive. Është provuar se ajo ka qenë një nga vatrat më të lashta të kultivimit të hardhive dhe prodhimit të verës në Evropë. Gjatë pushtimit osman, prodhimi i verës, pothuajse nuk vazhdoi. Megjithë një rimëkëmbje pas pavarësisë, deri në vitet ’50 kishin mbetur vetëm rreth 2 800 ha vreshta. Për këtë ndikuan faktorët social-ekonomikë të kohës, por dëmtimi ndodhi edhe nga sëmundjet si vrugu, hiri dhe sidomos filoksera. Periudha 1960-1975 konsiderohet më e mira për vreshtarinë shqiptare si për sipërfaqen, ashtu edhe prodhimin. Në vitet ’90, sipërfaqja e vreshtave në Shqipëri u pakësua me rreth 70% nga de-kolektivizimi dhe fragmentimi rrënjësor i bujqësisë. Më pas,  “kriza nga firmat piramidale” çoi në prerjen, shkatërrimin apo braktisjen e mbi 17,000 ha vreshta. Vitet e fundit, prodhimi i rrushit në Shqipëri është rritur në 205 000 ton (viti 2020). Shtimi i sipërfaqeve dhe i prodhimit të vreshtave lidhen ngushtë me aplikimin e skemave të subvencionimit. Synimi i politikave në lidhje me vreshtarinë dhe verën është zëvendësimi i importeve dhe kapja e tregut të turizmit. Kjo kërkon përmirësime të cilësisë dhe efikasitetit në  prodhimin dhe përpunimin e  rrushit. Drejtimet kryesore të punës lidhur me cilësinë lidhen me fidanishtet dhe materialin mbjellës. Këtu përfshihet identifikimi dhe konservimi i gjermoplazmës së hardhive autoktone, certifikimi i fidanëve të hardhive autoktone, formimi i kloneve të hardhive, shëndetësimi i fidanëve, sidomos, nga sëmundjet virusale. Drejtimet kryesore të punës lidhur me përmirësimin e teknologjive në vreshtari përfshijnë përmirësimin e trajtimeve që nga plugimi dhe punimet e tjera, plehërimi dhe ujitja, kontrolli i sëmundjeve dhe dëmtuesve, krasitjet, kujdesi gjatë dhe pas vjeljes së prodhimit. Ndryshimet klimatike do të kërkojnë një përgjigje adekuate edhe për sa u takon teknologjive. Bashkëpunimi me universitete dhe institute kërkimore është i domosdoshëm. Performanca e sektorit të vreshtave dhe verërave varet edhe nga përmirësimi dhe zbatimi i legjislacionit përkatës, shtimi i investimeve, përmirësimi i aftësive të prodhuesve etj. Hartimi i legjslacionit mbi vreshtat dhe verën ka qenë pjesë e procesit të përafrimit me rregulloret përkatëse të BE. Në këto akte ligjore detajohen kriteret për përcaktimin e origjinës dhe emërtimi i verërave, llojet e verës për konsum njerëzor, karakteristikat përkatëse, nënproduktet e verës etj. Zbatueshmëria e Ligjit Nr.8443, ka hasur në disa probleme për shkak të specifikimeve të kufizuara dhe elementeve të vjetruara në të. Një projekt ligj për vreshtarinë dhe verërat është në diskutim publik, ku janë përfshirë edhe shoqatat e agrobisnesit.

Fjalë kyçe: vreshtaria, cilësia e materialit mbjellës, përmirësimi i teknologjive, legjslacioni.

Social Share